DIPLOMIMI: KY HAP I MADH DREJT JETËS

KLELIA LOKA 

Diplomimi mund të konsiderohet si hapi i fundit i një procesi të caktuar akademik, por njëkohësisht hapi i parë drejt një fillimi të ri, tejet sfidues.

Për një pjesë të konsiderueshme të individëve, dita e diplomimit simbolizon çelësin e lirisë për dyert e jetës. Ndërsa për shumë të tjerë, përballjen me realitetin e ashpër, ku individi bëhet pjesë e një armate që ballafaqohet dita – ditës me egërsinë e tregut të punës, e cila pranëvihet paradoksalisht me idealizmat e thurura përgjatë viteve studentore.

Në këndvështrimin e parë, vëmë re një frymë optimizmi, ku këta individë vetëprojektojnë potencialin e tyre për ndryshim, i cili forcon themelet e elitës së arsimuar të një vendi. Mirëpo, në këndvështrimin e dytë, duket se rinia shqiptare e gjen më së shumti veten. E kjo, jo sepse ne nuk i gëzohemi diplomimit, por sepse stepemi përballë majave të thepisura që na presin në rrugëtimin tonë të gjatë, pasi nuk është kurrsesi e lehtë të dalësh nga mjediset e institucioneve arsimore dhe të përballesh me një treg pune ku nuk njihet termi “meritokraci”.

Me keqardhje mund të themi se këta të rinj, shohin si alternativën më të përshtatshme largimin nga vendi. Emigracioni në nivele të larta i këtyre individëve të arsimuar nga Shqipëria po varfëron ekonominë dhe gjithashtu po ndikon negativisht në zhvillimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë të vendit tonë. Sipas burimeve të INSTAT “Diaspora e Shqipërisë në Shifra” numri total i popullatës së larguar nga Shqipëria në vitin 2020 ishte 1.684.135 individë. Kjo dukuri sjell një sërë pasojash në përparimin e vendit në raport me vendet e tjera të zhvilluara.

Megjithatë, këto dy anë të një medalje mund të balancohen duke u kthyer në një të vetme: atë të perspektivës optimiste. Duke konstatuar se fuqizimi i të rinjve në shoqëri i krijon atyre mundësinë e gjithpërfshirjes si dhe angazhimit në komunitet e më gjerë, mund të themi se kjo i shtyn këta të rinj të njohin si dhe të kenë dëshirën për tu bërë pjesë e aktiviteteve rinore, madje edhe vete instancave politike për drejtimin e vendit.

Gjithashtu, kjo mund të arrihet edhe nëpërmjet krijimit të hapësirave të reja, specifikisht në media, për aktivizimin e të rinjve dhe mbështjen e talenteve te tyre. Në mënyrë që të rinjtë të mos t’i drejtohen diasporës, por t’i kenë sytë nga vendi ynë Shqipëria.

Pa dyshim që rinia duhet të ketë fokusin maksimal të politikbërësve. Në këtë mënyrë, çdo reformë e ndërrmarë, merret dhe zbatohet në shërbim të tyre, duke u kthyer drejtpërsëdrejti në investimin e të ardhmes.

Si konluzion, mund të themi se diplomimi, pavarësisht perspektivave të larmishme që mund të marrë, gjithnjë do të mbetet si një ogur mbarësie me shpresën për një të nesërme më të mirë se e sotmja.


Postuar

në

nga

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *