Përvjetori i 14 i Pavarësisë së Republikës së Kosovës
Me rastin e përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, TULLA – Culture Center organizon KS #14 Showcase – Javën e Kulturës Bashkëkohore të Kosovës nga data 14 deri 20 shkurt 2022.
Programi paraqet Kinematografinë, Muzikën, Artin Vizual dhe Artin Dramatik Kosovar.
KINEMATOGRAFIA
Qendra Kinematografike e Kosovës në bashkëpunim me Qendrën Tulla për të festuar suksesin e jashtëzakonshëm të kinemasë kosovare përzgjodhën për të sjellur në Tiranë filmat që u shfaqën dhe fituan çmime nga Sundance-i e Roterdam-i, festivali i Kanës, e deri në Tallin e Hong Kong.
Programi kinematografik: 14 shkurt – MARTESA nga Blerta Zeqiri, 15 shkurt – CIRKU FLUTURUES nga Fatos Berisha, 16 shkurt – NË MES dhe PA VEND nga Samir Karahoda, 17 shkurt – ZGJOI nga Blerta Basholli si dhe 19 shkurt – NË KËRKIM TË VENERËS nga Norika Sefa.
MUZIKA
Artistët e përzgjedhur nga kuratori muzikor Genc Salihu, përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të muzikës moderne kosovare që u zhvillua pas vitit 1999. Përmes nismave të pavarura, në Kosovë doli një skenë muzikore që shmangu komercializmin dhe njëkohësisht arriti të jetë imprint në kujtesën kolektive.
Para se të njihej për hip-hopin, Kosova themeloi dhe zhvilloi skenen alternative, e cila e vazhdoi trasimin e rrugës së nisur nga gjenerata e rock artistëve të viteve ’80 në Radio Televizionin e Prishtinës.
Programi muzikor do të sjellë në skenën e Tullës: KS All Stars – Dren Abazi, Shpat Deda, Genc Salihu dhe Alban Nimani, La Fazani dhe Filharmonia e Peshqve, KS Jazz Showcase me Nesim Maxhuni quartet dhe Oda Haliti.
ARTI VIZUAL
Ekspozita e kuruar nga Atdhe Mulla në kuadër të KS#14 Showcase, do të prezantojë disa nga fotografët bashkëkohorë të Kosovës – të cilët kanë punuar sidomos në dokumentimin e jetës shoqërore e kulturore të vendit këto vitet e fundit.
Ekspozita shpalosë punë të cilat shpërfaqin një varg temash që përbëjnë interesa të fotografëve përkatës: nga dokumentimi klasik i ngjarjeve në Kosovën e pasluftës deri tek seksualiteti dhe grupet e margjinalizuara, trupi si objekt artistik dhe forma të reja të fotografisë editoriale.
Fotografët pjesëmarrës janë: Majlinda Hoxha, Jetmir Idrizi, Atdhe Mulla, Qazim Gashi dhe Besfort Syla.
ARTI DRAMATIK
Teatri Kombëtar i Kosovës në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar Eksperimental Kujtim Spahivogli më 18 shkurt, sjellin shfaqjen Pa mua me regji të Alban Beqiraj, nga Samuel Beckett e cila cilësohet si një ndër pjesët inovative të historisë së teatrit e si urë-lidhëse me artin bashkëkohor, regjisori e paraqet si një pasqyrim artistik individual e pastaj edhe social i gruas, të cilën shoqëria e shtyp, e dhunon dhe e bën të heshtur.
Me 20 shkurt në Qendrën Tulla shfaqet Stirkoff nga regjisori Shpëtim Selmani bazuar në artikuj të Charles Bukowski.
Ky program realizohet në bashkëpunim me Ambasadën e Kosovës në Tiranë dhe me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës, Komunës së Prishtinës, Ministrisë së Kulturës dhe Rinisë së Kosovës, Qendrës Kinematografike të Kosovës, Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental Kujtim Spahivoglit.
Hyrja është e limituar vetëm me rezervime për shkak të masave anti Covid19.
Për shkak të hapësirës së limituar filmat do të rishfaqen çdo ditë prej orës 16:00 deri më 21 shkurt 2022
Për informata shtesë dhe rezervime ju lutem na kontaktoni në [email protected]









Lini një Përgjigje